
Real Madrid ka shpenzuar mbi 150 milionë euro këtë verë, duke sjellë katër përforcime të reja nën drejtimin e Xabi Alonso. Megjithatë, puna nuk ka përfunduar – përpara se të afrojnë të tjerë lojtarë, klubi duhet të zvogëlojë numrin e skuadrës. Këto janë pesë situatat më të ndërlikuara që kërkojnë zgjidhje të shpejtë:
1. Rodrygo
Braziliani ka vlerë të lartë në treg, por nuk ka më interes serioz nga klubet e mëdha. Tottenham është i vetmi klub që po përgatit një ofertë, ndërsa Real është i hapur ta shesë për rreth 90 milionë euro. Rodrygo dëshiron të qëndrojë, por po pret një bisedë me Alonson për të kuptuar nëse do ketë rol të rëndësishëm.
2. David Alaba
Austriaku 33-vjeçar nuk bën më pjesë në planet e klubit. Reali është i gatshëm ta lirojë falas, por Alaba nuk pranon, duke kërkuar pagën e plotë për vitin e fundit: 22.5 milionë euro. Klube nga Arabia Saudite janë të interesuara, por akoma pa konkretizim.
3. Ferland Mendy
Me ardhjen e Álvaro Carreras, Mendy shihet si lojtari më i tepërt në krahun e majtë. Mosha dhe historiku i dëmtimeve kanë ulur ndjeshëm vlerën e tij, dhe Real synon ta shesë për rreth 14 milionë euro – por deri tani nuk ka pasur oferta serioze.
4. Dani Ceballos
Reali do e shiste Ceballos vetëm nëse gjen një zëvendësues. Me mungesën e Bellingham në fillim të sezonit, largimi i tij do rrezikonte thellësinë e mesfushës. Ceballos kërkon minuta për të qenë në Kupën e Botës 2026 dhe është i hapur për largim – Real Betis është në lojë, por nuk mund të paguajë 20 milionë euro.
5. Endrick
Të gjithë prisnin që adoleshenti brazilian të shpërthente këtë sezon, por talenti tjetër Gonzalo Garcia ka befasuar stafin. Tani dilema është nëse Endrick duhet të mbetet apo të huazohet për të luajtur më rregullisht. Një huazim duket i mundshëm, por vendimi final do merret pas analizës nga Alonso.
Reali ka ende punë përpara për të balancuar ambiciet me realitetin e skuadrës së mbushur. Këto pesë çështje do të përcaktojnë formën e ekipit në sezonin e ri.



