
Liverpool nuk ka përfunduar ende me blerjet, pavarësisht se ka shpenzuar tashmë 270 milionë paund këtë verë. Sipas ESPN, kampionët e Premier League po përgatiten për një ofertë të madhe – deri në 150 milionë paund – për yllin e Newcastle, Alexander Isak, i cili shihet si trashëgimtari ideal i Mohamed Salah.
Me egjiptianin që ka firmosur kontratë të re deri në vitin 2027, klubi është i vetëdijshëm se ka ardhur koha të ndërtojë ofensivën e re. Bashkë me Florian Wirtz dhe Hugo Ekitike, Isak do të kompletonte repartin sulmues të së ardhmes për Liverpool.
Pavarësisht refuzimit fillestar të Newcastle, situata mund të ndryshojë për shkak të kufizimeve financiare që ka klubi anglez. Vetë Isak është i hapur për largim dhe mungesa e tij në turneun parasezonal ka ngritur spekulime.
Liverpool ka burimet financiare për ta mbyllur këtë marrëveshje pa rrezikuar rregullat e PSR, falë shitjeve të bujshme dhe të ardhurave rekord nga sezoni i kaluar. Nëse gjithçka shkon sipas planit, tifozët mund të shohin Salah dhe Isak bashkë këtë sezon – dhe më pas suedezi të marrë rolin e liderit në sulm.


