
Kristjan Asllani ka marrë një vendim të prerë për të mos u larguar nga Italia, duke refuzuar një transferim përfundimtar te Real Betis për 15 milionë euro.
Sipas Gazzetta dello Sport, mesfushori shqiptar është i vetëdijshëm se nuk bën pjesë në planet e trajnerit të ri të Interit, Cristian Chivu, sidomos pas afrimit të Petar Sucic që tashmë ka debutuar me zikaltrit në Botërorin për Klube.
Pavarësisht faktit që Inter do të përfitonte një shumë të konsiderueshme nga shitja, 23-vjeçari ka vendosur të qëndrojë në Serie A, duke refuzuar kalimin jashtë vendit.
Bologna dhe Fiorentina janë përmendur si destinacione të mundshme, por për momentin ofrojnë vetëm huazim, jo blerje të plotë – gjë që nuk përmbush kërkesat financiare të Interit.
Vendimi i Asllanit për të qëndruar në Itali e komplikon situatën për klubin, i cili tani duhet të gjejë një zgjidhje alternative në merkato për të çliruar hapësirë dhe fonde.



