
Pas një sezoni ku kërkojnë të përforcojnë repartin e sulmit, Juventus ka hedhur sytë drejt sulmuesit të Liverpulit, Darwin Nunez, si një alternativë për Randal Kolo Muani.
Sipas burimeve të Il Bianconero, klubi nga Torino ka nisur bisedimet me Liverpoolin dhe përfaqësuesit e sulmuesit uruguaian për të marrë më shumë informacion mbi mundësinë e një transferimi.
Kolo Muani ende prioritet…
Për momentin, objektivi kryesor i “Zonjës së Vjetër” mbetet qëndrimi i Kolo Muanit, i cili sezonin e kaluar ishte në huazim nga PSG. Juventusi po punon për ta mbajtur francezin në skuadër, por pa përjashtuar opsione të tjera në tregun e transferimeve.
…por Darwin Nunez shihet si një alternativë serioze
Nëse marrëveshja me Kolo Muanin nuk finalizohet, Nunez konsiderohet si një plan rezervë mjaft i vlefshëm. Sulmuesi 26-vjeçar, i cili erdhi nga Benfica me shumë pritshmëri, nuk ka lënë gjurmë në “Anfield” gjatë tre viteve të fundit, dhe Liverpool tani po mendon ta shesë.
Çmimi dhe konkurrenca
Sipas raportimeve, Liverpool kërkon plot 60 milionë euro për shërbimet e uruguaianit, një shifër që ka ftohur interesin e Milanit dhe Napolit. Por Juventus duket i gatshëm të negociojë kushte të tjera.
Zgjidhja: huazim me të drejtë blerjeje?
Për të shmangur një investim të menjëhershëm të lartë, Juventusi mund të propozojë një marrëveshje huazimi, me opsion ose detyrim blerjeje në fund të sezonit.
Megjithatë, gjithçka varet nga zhvillimet me Kolo Muanin dhe nëse PSG do lejojë largimin e tij përfundimtar. Në rast të kundërt, Darwin Nunez mund të jetë sulmuesi i ri bardhezi në “Allianz Stadium” këtë verë.



