
Shkëndija e Tetovës ka arritur një sukses të jashtëzakonshëm në arenën ndërkombëtare, duke u kualifikuar në turin e tretë të Ligës së Kampionëve pas një fitoreje 1-2 ndaj FCSB në Bukuresht. Rezultati i përgjithshëm 1-3 i siguroi skuadrës shqiptare kalimin më tej dhe një vend të garantuar në kompeticionet europiane për këtë sezon.
Takimi në kryeqytetin rumun nuk nisi në mënyrën më të mirë për të besuarit e trajnerit Beqiri, të cilët u ndëshkuan në minutën e 28-të nga një gol i Cisotti. Megjithatë, reagimi i kuqezinjve ishte i menjëhershëm, me Latifin që barazoi shifrat vetëm pesë minuta më vonë.
Edhe pse mjaftonte një barazim për të kaluar më tej, Shkëndija nuk u tërhoq në mbrojtje. Në minutën e 87-të, Krstevski lëshoi një goditje nga distanca që, pas një devijimi fatlum, përfundoi në rrjetë dhe vulosi fitoren historike të skuadrës shqiptare.
Me këtë sukses, Shkëndija siguron kalimin në turin e tretë kualifikues të Champions League, ku do të përballet me kampionët e Azerbajxhanit, Qarabag. Për më tepër, tetovarët tashmë kanë të garantuar pjesëmarrjen në fazën grupore të Conference League, duke e bërë këtë një ndër sezonet më të suksesshme në historinë e klubit.