Luis Diaz ka lënë kampin stërvitor të Liverpoolit në Japoni për të finalizuar transferimin e tij te Bayern Munich. Pas disa javësh negociatash, klubet arritën marrëveshje për 75 milionë euro (rreth 65 milionë paund), një ofertë që i afrohet vlerës reale të sulmuesit kolumbian.
Diaz, i cili mbush 29 vjeç në janar, kishte kërkuar largimin që prej verës së kaluar. Bisedimet për rinovimin e kontratës, që skadon pas dy vitesh, nuk dhanë rezultat për shkak të diferencave të mëdha në kërkesa. Liverpool pranoi se largimi ishte i pashmangshëm – por vetëm për një çmim të drejtë.
Kolumbiani është larguar nga Tokio, ku skuadra po përgatitej për miqësoren ndaj Yokohama F. Marinos, dhe tashmë ndodhet në rrugë drejt Gjermanisë për të kryer vizitat mjekësore dhe firmën me Bayernin.
Diaz iu bashkua Liverpoolit në vitin 2022 nga Porto për 42 milionë paund plus bonuse. Me këtë transferim, të ardhurat nga shitjet e klubit në vitin e fundit kalojnë 190 milionë paund.
Ndërkohë, Liverpool ka nisur të mendojë për zëvendësimin. Me ardhjen e Hugo Ekitike javën e kaluar dhe interesin e vazhdueshëm për Alexander Isak të Newcastle, duket se klubi është i vendosur të mos mbetet bosh në repartin ofensiv.

Leave feedback about this